Zgjidhen drejtuesit e KKD-së

Gjatë takimit të datës 18 dhjetor, anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, sipas Rregullores së Këshillit, zgjodhën drejtuesit e këtij këshilli. Me shumicë votash, kryetar i këshillit u zgjodh z. Mark Gjonaj, nënkryetare znj. Anila Hyka Smorgrav dhe sekretare znj. Adriana Fishta-Bejko.

Kryetari, z. Gjonaj është përfaqësues i Diasporës shqiptare në SHBA dhe mban postin e këshilltarit në Këshillin e Bashkisë së Nju-Jorkut. I diplomuar në “Saint John’s University”, z. Gjonaj është i pari shqiptaro-amerikan në bashkinë e Nju Jork-ut i zgjedhur që prej 2017. Në vitet 2012-2017, ai ka qenë anëtar i asamblesë së shtetit të Nju Jork-ut. Gjithashtu, është aktivist i hershëm në çështjen e Diasporës shqiptare në shërbime filantropike duke dhënë një kontribut të vazhdueshëm për kauzën shqiptare.

Nënkryetarja, znj. Smorgrav, e cila përfaqëson Diasporën shqiptare në Francë është profesioniste në fushën e IT-së dhe telekomit. Studimet e saj i mbaroi me rezultate të shkëlqyera në Oslo për IT, ku filloi dhe të punojë si pedagoge pranë këtij institucioni. Është diplomuar dhe me master në MBA në ESCP Evropë, një nga shkollat më prestigjioze të biznesit në Evropë. Njëkohësisht, ajo drejton projekte dhe shërben su konsulente biznesesh të rëndësishme në gjithë Evropën. Prej disa vitesh, znj. Smorgrav është aktiviste e organizatave shqiptare në Diasporë, ku dhe drejton shoqatën franko-shqiptare “Albania” në Paris.

Ndërkohë, sekretarja e Këshillit, znj. Fishta-Bejko është mësimdhënëse, autore dhe studiuese shkencore në Kanada. Gjatë 42 viteve si edukatore ka arritur të krijojë raporte me drejtues në fushën e arsimit, prindërve dhe nxënësve, duke pasur influencë pozitive në vende të ndryshme të botës me mësimdhënie në disa shtete. Për arritjet e saj në fushën e arsimit, në vitin 2002, ajo u laureua me çmimin “Who’s who” për kontinentin Amerikan dhe çmimin e dytë për “Emigrant of Achievement”, Calgary, Alberta. Në maj të 2018-ës, ajo u zgjodh kryetare e bordit të shkollës “Foleja e Shqiponjave” në Calgary, Alberta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *