Angli / Brikena Muharremi tregon për situatën e rëndë në Angli

Britania e Madhe po përballet me një numër të lartë të viktimave nga koronavirusi. Qeveria britanike vetëm pak ditë më parë mori masat për frenimin e përhapjes së këtij virusi.

Avokatja shqiptare Brikena Muharremi, anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës në një intervistë për “Top Channel” flet rreth situatës së krijuar nga COVID-19 atje dhe masave të marra nga qeveria.

Sipas saj, kjo situatë është e vështirë dhe se qeveria duhet të merrte parasysh disa faktorë deri në miratimin e ligjit për koronavirusin.

“Mendoj që duke marrë parasysh natyrën e kësaj situate është një situatë e paprecedent, është një situatë komplekse dhe qeveria sigurisht që është dashur të marrë parasysh disa faktorë duke marrë parasysh impaktin e madh që masat drastike, të cilat është dashur të merren kanë në ekonomi“, ka thënë ajo.

Më tej, ajo thekson se kjo situatë është një sfidë jo vetëm për Anglinë, por për të gjitha shtetet e botës pasi përveç parandalimit të përhapjes së virusit duhet të sigurohen edhe masat për funksionimin e shtetit, për të mos e kthyer atë në një kolaps.

Referuar komunikimeve të fundit që ka pasur me komunitetin shqiptar, Muharremi tregon se deri më tani nuk ka asnjë viktimë, por ka vetëm disa raste të të prekurve nga virusi.

Ndërkohë, ajo bën të ditur se kjo situatë ka prekur edhe sistemin e drejtësisë në Angli. Gjykatat po punojnë vetëm në rastet më ekstreme ndërsa policia vazhdon intervistat me të arrestuarit, të cilëve u jepet e drejta të kontaktojnë me avokatët e tyre përmes video konferencave apo telefonatave, u shpreh avokatja.

Muharremi është themeluese e Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Britanik në Mbretërinë e Bashkuar (BALA) dhe ushtron të drejta përfaqësimi në të gjitha gjykatat në Angli dhe Uells.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *